Ne besojmë se vendi më i mirë për një fëmijë është familja e tij, për sa kohë që ai merr kujdesin, mbrojtjen dhe mbështetjen e nevojshme për zhvillimin e tij të shëndetshëm. Për këtë arsye, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet publike, organizatat komunitare dhe partnerë të tjerë lokalë, punojmë për të fuqizuar familjet në situatë vulnerabiliteti dhe për të parandaluar ndarjen e fëmijëve nga familjet e tyre.
Mungesa e një mjedisi familjar të qëndrueshëm dhe mbrojtës i ekspozon fëmijët ndaj faktorëve të shumtë të riskut, duke i bërë më të cenueshëm ndaj dhunës, abuzimit, neglizhencës dhe diskriminimit.
Në kuadër të fuqizimit të familjes, ne punojmë drejtpërdrejt me familjet përmes ofrimit të mbështetjes dhe shërbimeve të specializuara (Fuqizimi i Drejtpërdrejtë i Familjes), si dhe me komunitetet, njësitë e qeverisjes vendore dhe institucionet qendrore për të zbatuar masa që parandalojnë humbjen e kujdesit prindëror nga fëmijët dhe të rinjtë (Fuqizimi i Komunitetit në funksion të Fuqizimit të Familjes).
Programi i parë i Fuqizimit të Familjes nga SOS Fshatrat e Fëmijëve në Shqiperi u iniciua në zonën e Saukut, Tiranë në vitin 2006. Aktualisht, programet e Fuqizimit të Familjes zbatohen në zona të ndryshme të qytetit të Tiranës dhe Shkodrës. Përfituesit e këtyre programeve janë familjet me fëmijë nën moshën 18 vjeç, të cilat janë të marxhinalizuara në aspektin social dhe ekonomik, të karakterizuara nga nivele të larta të varfërisë dhe situata të dhunës në familje, gjë që çojnë në braktisjen ose ndarjen e fëmijëve nga familja.
Në punën tonë të drejtpërdrejtë me familjet dhe familjen e gjerë, ne ofrojmë një gamë të gjerë shërbimesh mbështetëse, duke përfshirë:
Aktivitetet e ndërgjegjësimit janë një pjesë e rëndësishme e punës sonë për mbrojtjen e fëmijëve dhe fuqizimin e komuniteteve. Përmes fushatave informuese, takimeve me komunitetin, materialeve promovuese dhe publikimit të studimeve, ne rrisim njohuritë e publikut mbi sfidat e fëmijëve në rrezik të humbjes së kujdesit prindëror dhe promovojmë zgjidhje që mbështesin familjet dhe mirëqenien e fëmijëve.
Mobilizimi i komunitetit synon të rrisë pjesëmarrjen aktive të qytetarëve në mbështetje të fëmijëve dhe familjeve në nevojë. Përmes grupeve komunitare, iniciativave vullnetare dhe aktiviteteve të ndryshme sociale, ne fuqizojmë anëtarët e komunitetit që të kontribuojnë në mbrojtjen dhe mirëqenien e fëmijëve, duke ndërtuar një mjedis më solidar, mbështetës dhe gjithëpërfshirës.
Ndërtimi i kapaciteteve të komunitetit synon të forcojë aftësitë e komunitetit për të identifikuar fëmijët dhe familjet vulnerabël, për të vlerësuar nevojat e tyre dhe për të mobilizuar burimet ekzistuese për t'iu përgjigjur këtyre nevojave. Përmes trajnimeve dhe zhvillimit të partneriteteve lokale, ne mbështesim komunitetet që të ofrojnë zgjidhje të qëndrueshme dhe mbështetje më efektive për fëmijët dhe familjet në nevojë.
Në vitin 1999 u vendosa në SOS Fshati i Fëmijëve Tiranë pasi familja ime u nda. Isha e frikësuar, e hutuar, por edhe pak kurioze. “Cfarë është ky vend?” mendova. “Mirë se erdhe në familje”, ishte fraza e parë që më tha nëna SOS. Mësova shpejt se quhet familje për një arsye. Personi më i rëndësishëm për ne në të ishte nëna. Përpjekjet e saj për t’u kujdesur për ne e bënin atë më të rëndësishmen në sytë tanë. Edhe pse nuk ishim vëllezër e motra nga gjaku, u bëmë më shumë se kaq. Ndonëse isha vetëm 10 vjeç, jeta ime në SOS Fshatin e Fëmijëve Tiranë u ndje si një fillim i ri. Mësova të jetoj ngrohtësisht me njerëz që nuk i njihja apo prisja t’i takoja gjatë jetës sime.
Ndërsa maturohemi, kuptojmë se lumturia mund të gjendet edhe në mes të historive të trishta. Gjatë kohës sime në fshat, kam krijuar një vlerësim të ri për dashurinë që vjen nga të pasurit vëllezër e motra. Sara* dhe Ani* u bënë motrat e mia të familjes dhe së bashku ne ndamë të gjitha problemet dhe aspiratat tona. Luajtëm, qeshëm, madje derdhëm edhe lot bashkë. Dorë për dore, ne u rritëm përkrah njëri-tjetrës dhe krijuam kujtime të panumërta. E në fund të fundit a nuk është kjo cka përfaqëson një moter, dashuri dhe të plot kujtime fëmijërie sëbashku.
Në fshat zbulova dashurinë për sportin dhe aspirova të bëhesha versioni më i mirë i vetes. Me punë te palodhur dhe mbështetjen e atyre që besuan tek unë, ia dola. Unë arrita të diplomohem në Universitetin e Sporteve. Sot, jam krenare jo vetëm për arritjet e mia, por edhe për lumturinë që i solla familjes dhe mbështetësve të mi.
Jeta ime ka qenë një udhëtim i veçantë. Unë kam pasur rastin të rritem në një mjedis të ndryshëm nga shumica e moshatarëve të mi, por në një mënyrë shumë të bukur.
Si nënë e dy fëmijëve, tani e kuptoj rëndësinë e dashurisë, strehimit dhe familjes. Sot, mund ta kuptoj se sa shumë përmbushje shpirtërore kam marrë aty ku jam rritur.
Ndonjëherë më duket sikur jam pjesë e një historie të shkruar në një libër ku vetëm imagjinata ime mund t’i japë jetë fjalëve. Motra ime Sara* më thotë se jam shumë poetike, por mua më pëlqen. Unë dua ta shoh jetën në këtë mënyrë, të hapur për të pranuar surprizat e ardhshme që mund të më sjellë jeta.
*Keni parasysh se për arsye të privatësisë dhe mbrojtjes së fëmijëve, ne kemi ndryshuar emrat origjinalë të fëmijëve.”
Gjatë një seance trajnimi pas një viti mbështetjeje, Fredi tha:
“Unë nuk pi alkool, nuk pi duhan, punoj shumë, e dua familjen time dhe kujdesem për fëmijët, gruan dhe nënën time. Të gjithë përballemi me sfida në periudha të ndryshme të jetës, por disa sfida qëllojnë të jenë më të vështira se ca të tjera. Situata ime më ka mësuar se duhet të jemi më pak gjykues dhe më shumë mbështetës ndaj atyre që po kalojnë periudha të vështira. Përmes përvojave të mia, kam kuptuar se edhe veprimet e thjeshta të mirësisë mund të kenë një ndikim të rëndësishëm tek ata që po përballen me sfida të ndryshme në jetën e tyre.”
Ne në SOS Fshatrat e Fëmijëve punojmë së bashku me partnerë, donatorë, komunitete, bashki lokale t’u mundësojmë fëmijëve të rriten me ato mardhwnie që u nevojiten për t’u zhvilluar dhe për t’u bërë vetja e tyre më e fortë. Ne u mundësojmë familjeve të gjejnë mënyra më të mira për të qenë pranë njëri-tjetrit.
*Keni parasysh se për arsye të privatësisë dhe mbrojtjes së fëmijëve, ne kemi ndryshuar emrat origjinalë të fëmijëve.”