SOS Children’s Villages është organizata më e madhe në botë e fokusuar tek fëmijët dhe të rinjtë pa kujdes prindëror ose në rrezik për ta humbur atë, duke u siguruar që ata të rriten me dashuri, përkujdesje dhe siguri.
Në nivel global, rreth 1 miliard fëmijë (1 në 10 fëmijë) dhe të rinj përjetojnë çdo vit neglizhencë, dhunë fizike, seksuale ose emocionale. Numri i fëmijëve në nevojë po rritet si pasojë e varfërisë, konflikteve gjeopolitike dhe fatkeqësive natyrore. Prandaj SOS Fshatrat e Fëmijëve është pranë tyre në çdo hap të rrugëtimit nga fëmijët e vegjël që kanë nevojë për kujdes dhe mbrojtje, deri te të rinjtë që kanë nevojë për mbështetje për t’u bërë të pavarur.
Çdo fëmijë i përket një familjeje dhe rritet me dashuri, respekt dhe siguri. Familjet mund të jenë të formave dhe madhësive të ndryshme megjithatë, ajo që ka më shumë rëndësi është që fëmijët dhe të rinjtë të kenë ndjenjën e përkatësisë. Të jenë të rrethuar dhe të mbështetur nga njerëz që kujdesen për ta, tek të cilët mund të besojnë, dhe që janë pranë tyre në momentet kur kanë më shumë nevojë. Një marrëdhënie e ngrohtë dhe e besueshme është themeli i mjedisit familjar që ne synojmë për çdo fëmijë dhe të ri.
Ne ndërtojmë familje për fëmijët në nevojë, i ndihmojmë të formësojnë të ardhmen e tyre dhe kontribuojmë në zhvillimin e komuniteteve ku ata jetojnë. Ne jemi pranë fëmijëve dhe të rinjve, pavarësisht prejardhjes, përvojës, kulturës, traditave, besimit, orientimit, bindjeve politike, gjinisë, aftësisë apo origjinës së tyre. Ata janë prioriteti ynë dhe ne bëjmë gjithçka për t’u siguruar që të rriten të fuqizuar, me besim dhe me ndjenjën e përkatësisë. Puna jonë përshtatet me kontekstin dhe realitetin lokal, për të arritur tek ata që kanë më shumë nevojë për mbështetjen tonë.
Çdo fëmijë meriton të rritet në një familje, i rrethuar nga dashuria, respekti dhe siguria.
Ne sfidojmë format tradicionale të kujdesit dhe zhvillojmë vazhdimisht qasje inovative për fëmijët. Ndihmojmë fëmijët që nuk kanë ku të drejtohen dhe veprojmë me përkushtim për të mësuar, përmirësuar dhe mbështetur ata kudo në botë.
Ne jemi të përkushtuar të ndihmojmë breza fëmijësh për një jetë më të mirë. E arrijmë këtë duke ndërtuar marrëdhënie të qëndrueshme me mbështetësit, stafin dhe komunitetet, duke besuar se angazhimi afatgjatë sjell ndikim të qëndrueshëm dhe domethënës.
Ne besojmë në aftësitë dhe potencialin e njëri-tjetrit. Krijojmë një mjedis të bazuar në besim, ku mbështesim dhe mësojmë nga njëri-tjetri për të përmbushur me siguri përgjegjësitë tona.
Përgjegjësia jonë kryesore është të garantojmë mirëqenien e fëmijëve, duke siguruar standarde të larta kujdesi. Ne angazhohemi të përdorim çdo fond dhe burim me përgjegjësi, transparencë dhe respekt.
Në qendër të qasjes sonë është besimi se çdo fëmijë është unik, me nevoja dhe potencial të veçantë. Ne sigurohemi që zëri i tyre të dëgjohet dhe përshtasim programet tona sipas individit, kulturës dhe kontekstit ku jetojnë.
Ne bashkëpunojmë rregullisht me kompani, institucione, qeveri dhe individë në mbarë botën për të ngritur fonde dhe për të implementuar projekte të përbashkëta duke sjell ndryshim në jetën e fëmijëve dhe të rinjve.
Në vitin 1999 u vendosa në SOS Fshati i Fëmijëve Tiranë pasi familja ime u nda. Isha e frikësuar, e hutuar, por edhe pak kurioze. “Cfarë është ky vend?” mendova. “Mirë se erdhe në familje”, ishte fraza e parë që më tha nëna SOS. Mësova shpejt se quhet familje për një arsye. Personi më i rëndësishëm për ne në të ishte nëna. Përpjekjet e saj për t’u kujdesur për ne e bënin atë më të rëndësishmen në sytë tanë. Edhe pse nuk ishim vëllezër e motra nga gjaku, u bëmë më shumë se kaq. Ndonëse isha vetëm 10 vjeç, jeta ime në SOS Fshatin e Fëmijëve Tiranë u ndje si një fillim i ri. Mësova të jetoj ngrohtësisht me njerëz që nuk i njihja apo prisja t’i takoja gjatë jetës sime.
Ndërsa maturohemi, kuptojmë se lumturia mund të gjendet edhe në mes të historive të trishta. Gjatë kohës sime në fshat, kam krijuar një vlerësim të ri për dashurinë që vjen nga të pasurit vëllezër e motra. Sara* dhe Ani* u bënë motrat e mia të familjes dhe së bashku ne ndamë të gjitha problemet dhe aspiratat tona. Luajtëm, qeshëm, madje derdhëm edhe lot bashkë. Dorë për dore, ne u rritëm përkrah njëri-tjetrës dhe krijuam kujtime të panumërta. E në fund të fundit a nuk është kjo cka përfaqëson një moter, dashuri dhe të plot kujtime fëmijërie sëbashku.
Në fshat zbulova dashurinë për sportin dhe aspirova të bëhesha versioni më i mirë i vetes. Me punë te palodhur dhe mbështetjen e atyre që besuan tek unë, ia dola. Unë arrita të diplomohem në Universitetin e Sporteve. Sot, jam krenare jo vetëm për arritjet e mia, por edhe për lumturinë që i solla familjes dhe mbështetësve të mi.
Jeta ime ka qenë një udhëtim i veçantë. Unë kam pasur rastin të rritem në një mjedis të ndryshëm nga shumica e moshatarëve të mi, por në një mënyrë shumë të bukur.
Si nënë e dy fëmijëve, tani e kuptoj rëndësinë e dashurisë, strehimit dhe familjes. Sot, mund ta kuptoj se sa shumë përmbushje shpirtërore kam marrë aty ku jam rritur.
Ndonjëherë më duket sikur jam pjesë e një historie të shkruar në një libër ku vetëm imagjinata ime mund t’i japë jetë fjalëve. Motra ime Sara* më thotë se jam shumë poetike, por mua më pëlqen. Unë dua ta shoh jetën në këtë mënyrë, të hapur për të pranuar surprizat e ardhshme që mund të më sjellë jeta.
*Keni parasysh se për arsye të privatësisë dhe mbrojtjes së fëmijëve, ne kemi ndryshuar emrat origjinalë të fëmijëve.”
Gjatë një seance trajnimi pas një viti mbështetjeje, Fredi tha:
“Unë nuk pi alkool, nuk pi duhan, punoj shumë, e dua familjen time dhe kujdesem për fëmijët, gruan dhe nënën time. Të gjithë përballemi me sfida në periudha të ndryshme të jetës, por disa sfida qëllojnë të jenë më të vështira se ca të tjera. Situata ime më ka mësuar se duhet të jemi më pak gjykues dhe më shumë mbështetës ndaj atyre që po kalojnë periudha të vështira. Përmes përvojave të mia, kam kuptuar se edhe veprimet e thjeshta të mirësisë mund të kenë një ndikim të rëndësishëm tek ata që po përballen me sfida të ndryshme në jetën e tyre.”
Ne në SOS Fshatrat e Fëmijëve punojmë së bashku me partnerë, donatorë, komunitete, bashki lokale t’u mundësojmë fëmijëve të rriten me ato mardhwnie që u nevojiten për t’u zhvilluar dhe për t’u bërë vetja e tyre më e fortë. Ne u mundësojmë familjeve të gjejnë mënyra më të mira për të qenë pranë njëri-tjetrit.
*Keni parasysh se për arsye të privatësisë dhe mbrojtjes së fëmijëve, ne kemi ndryshuar emrat origjinalë të fëmijëve.”