Bëhu MIK SOS - SOS Fshtrat e Fëmijëve

Bëhu MIK SOS

Të qenit një MIK SOS do të thotë që do të dhuroni një shumë të zgjedhur nga ju, në mënyrë të vazhdueshme, në bazë mujore – për të mundësuar një fëmijëri të lumtur dhe të sigurtë për fëmijët dhe të rinjtë që mbështeten nga SOS Fshatrat e Fëmijëve.

Pse është e rëndësishme të jeni një MIK SOS

Organizata jonë ofron kujdes afatgjatë të cilësisë së lartë dhe mbështetje të vazhdueshme për fëmijët dhe të rinjtë pa kujdes prindëror, deri në pavarësinë e tyre të plotë. Me mbështetjen tuaj të vazhdueshme, do të ndihmoni në ndryshimin e jetës së shumë fëmijëve dhe të rinjve në Shqipëri – dhe do t’u jepni një shans për një të ardhme të lumtur dhe të sigurtë!
Duke bërë dhurime mujore 1000, 1500, 2000 lekë APO çdo shumë tjetër që vetezgjidhni – ju i shoqëroni simbolikisht fëmijët në rrugëtimin e tyre të rritjes, na ndihmoni të përgjigjemi ndaj nevojave të tyre çdo ditë, në mënyrë që ata të rriten me ngrohtësinë dhe sigurinë që ofron një familje, të arsimohen, të përgatiten për jetën e tyre të pavarur në të ardhmen.

Fondet që Miqtë tanë SOS dhurojnë janë mbështetje direkte për fëmijët dhe të rinjtë që mbështeten nga SOS Fshatrat e Fëmijëve dhe përdoren ekskluzivisht për të mbuluar nevojat dhe shpenzimet e tyre aktuale.

Si mund të bëheni MIK SOS?

Mënyra se si mund të bëheni MIKU ynë SOS dhe t’i shoqëroni fëmijët në rrugëtimin e tyre të rritjes është shumë e thjeshtë.

Me një Dhurim Online

– duke plotësuar formularin e dhurimit online, me shumën e zgjedhur prej jush

Me ndihmën e Ambasadorëve SOS

– përmes një aplikacioni të sigurtë me të cilin ata pajisen, në vende publike nëpër qytetin e Tiranës

Si të ndaloni të qenit MIK SOS?

Si të ndaloni së qeni Miku ynë SOS?

Nëse mundësitë tuaja nuk ju lejojnë më të dhuroni, mund të anuloni donacionet mujore në çdo kohë që dëshironi.

Na kontaktoni dhe do t’ju orientojmë për hapat e mëtejshëm:
Nëse rrethanat ndryshojnë dhe vendosni të bëheni përsëri MIK SOS, mos hezitoni të na kontaktoni – do të kemi kënaqësi t’ju ndihmojmë.

Më Shumë Informacion

Të gjitha informacionet lidhur me të qenit MIK SOS, ngjarjet aktuale, si dhe ato lidhur me punën e SOS Fshatrat e Fëmijëve, etj. – mund t’i gjeni në website-in tonë ose në rrjetet tona sociale ( Facebook , Instagram , LinkedIn , YouTube ).

Nëse nuk gjeni informacionin që kërkoni, mund të na kontaktoni për çdo pyetje që mund të keni:
Të gjitha të dhënat personale që ju jepni, do të përdoren në përputhje me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Të dhënat e llogarisë

Eli*, sot nuk është më fëmijë

Një histori ndryshe për disa, por e njëjta për disa të tjerë.
Jam rritur në SOS Fshati i Fëmijëve Tiranë së bashku me shumë fëmijë të tjerë. Tani që më kujtohet, në ditët e para mendova se e vetmja gjë e përbashkët që unë dhe ata kishim ishin historitë tona të trishta. Ata ishin vëllezërit dhe motrat e mia dhe ne të gjithë ishim aq të ngjashëm sa dhe unikë në mënyrat tona.

Për ta kuptuar më mirë, le të fillojmë nga fillimi i historisë sonë.

Në vitin 1999 u vendosa në SOS Fshati i Fëmijëve Tiranë pasi familja ime u nda. Isha e frikësuar, e hutuar, por edhe pak kurioze. “Cfarë është ky vend?” mendova. “Mirë se erdhe në familje”, ishte fraza e parë që më tha nëna SOS. Mësova shpejt se quhet familje për një arsye. Personi më i rëndësishëm për ne në të ishte nëna. Përpjekjet e saj për t’u kujdesur për ne e bënin atë më të rëndësishmen në sytë tanë. Edhe pse nuk ishim vëllezër e motra nga gjaku, u bëmë më shumë se kaq. Ndonëse isha vetëm 10 vjeç, jeta ime në SOS Fshatin e Fëmijëve Tiranë u ndje si një fillim i ri. Mësova të jetoj ngrohtësisht me njerëz që nuk i njihja apo prisja t’i takoja gjatë jetës sime.

Ndërsa maturohemi, kuptojmë se lumturia mund të gjendet edhe në mes të historive të trishta. Gjatë kohës sime në fshat, kam krijuar një vlerësim të ri për dashurinë që vjen nga të pasurit vëllezër e motra. Sara* dhe Ani* u bënë motrat e mia të familjes dhe së bashku ne ndamë të gjitha problemet dhe aspiratat tona. Luajtëm, qeshëm, madje derdhëm edhe lot bashkë. Dorë për dore, ne u rritëm përkrah njëri-tjetrës dhe krijuam kujtime të panumërta. E në fund të fundit a nuk është kjo cka përfaqëson një moter, dashuri dhe të plot kujtime fëmijërie sëbashku.

Në fshat zbulova dashurinë për sportin dhe aspirova të bëhesha versioni më i mirë i vetes. Me punë te palodhur dhe mbështetjen e atyre që besuan tek unë, ia dola. Unë arrita të diplomohem në Universitetin e Sporteve. Sot, jam krenare jo vetëm për arritjet e mia, por edhe për lumturinë që i solla familjes dhe mbështetësve të mi.

Jeta ime ka qenë një udhëtim i veçantë. Unë kam pasur rastin të rritem në një mjedis të ndryshëm nga shumica e moshatarëve të mi, por në një mënyrë shumë të bukur.

Si nënë e dy fëmijëve, tani e kuptoj rëndësinë e dashurisë, strehimit dhe familjes. Sot, mund ta kuptoj se sa shumë përmbushje shpirtërore kam marrë aty ku jam rritur.

Ndonjëherë më duket sikur jam pjesë e një historie të shkruar në një libër ku vetëm imagjinata ime mund t’i japë jetë fjalëve. Motra ime Sara* më thotë se jam shumë poetike, por mua më pëlqen. Unë dua ta shoh jetën në këtë mënyrë, të hapur për të pranuar surprizat e ardhshme që mund të më sjellë jeta.

*Keni parasysh se për arsye të privatësisë dhe mbrojtjes së fëmijëve, ne kemi ndryshuar emrat origjinalë të fëmijëve.”

Jepu fëmijëve mundësinë e një të ardhme më të mirë!

Ada*, 11 vjeç

Puna për të mbajtur familjet të bashkuara është superfuqia jonë!
“I dashur ditar, po të shkruaj sepse nuk dua t’i ndaj dëshirat e mia me prindërit e mi. E di që nuk do të mund bëjnë ato realitet dhe kjo do shkaktojë trishtim në sytë e tyre…”
Ada kishte shkruar Ada në fletoren e saj, të cilën e quan “Ditari i Adës”.
Nëna e Adës nuk është në gjendje të punojë për shkak të shëndetit mendor dhe herë pas here ajo nuk është në gjendje të kujdeset për vajzat. Gjyshja e Adës është në dispozicion për të ndihmuar, por ajo është e moshuar dhe me shëndet të dobët. Babai i Adës është i vetmi që punon dhe siguron ushqim për familjen, por mungesa e një profesioni ja bën më të vështirë gjetjen e një pune. Ada dhe motra e saj nuk shkonin rregullisht në shkollë. Situata e tyre familjare ndikon në performancën e tyre në shkollë dhe në marrëdhëniet e tyre me bashkëmoshatarët. Për Adën shoqja e saj më e mirë ishte vetëm motra e madhe, që e kuptonte dhe fletorja e saj.
Rrugëtimi i Adës me SOS Fshatrat e Fëmijëve në Shqipëri filloi tre vjet më parë. Në një kohë kur prindërit e saj po luftonin për të mbajtur familjen të bashkuar dhe kishin vështirësi në sigurimin e kujdesit dhe stabilitetit që u nevojitet fëmijëve.
Nëpërmjet projekteve të SOS Fshatrat e Fëmijëve në parandalim dhe mbrojtje, çdo anëtar i familjes mori mbështetjen e nevojshme për t’i ndihmuar ata të ecin përpara dhe ta bëjnë familjen e tyre të ketë sukses. Kolegët tanë u siguruan që nëna e Adës të merrte të gjitha medikamentet e nevojshme dhe e mbështetën në aksesin e shërbimeve sociale dhe shëndetësore.
Fredi*, babai i saj, mori pjesë në seminare të ndryshme prindërore për të përmirësuar aftësitë e tij prindërore. Ada dhe motra e saj u mbështetën me këshillim psikologjik dhe edukim, duke përfshirë pajisje shkollore, materiale mësimore dhe ndihmë me lesksione pas shkollës. Ada dhe anëtarët e familjes së saj punuan së bashku me punonjës socialë dhe ekspertë për të forcuar familjen.

Gjatë një seance trajnimi pas një viti mbështetjeje, Fredi tha:

“Unë nuk pi alkool, nuk pi duhan, punoj shumë, e dua familjen time dhe kujdesem për fëmijët, gruan dhe nënën time. Të gjithë përballemi me sfida në periudha të ndryshme të jetës, por disa sfida qëllojnë të jenë më të vështira se ca të tjera. Situata ime më ka mësuar se duhet të jemi më pak gjykues dhe më shumë mbështetës ndaj atyre që po kalojnë periudha të vështira. Përmes përvojave të mia, kam kuptuar se edhe veprimet e thjeshta të mirësisë mund të kenë një ndikim të rëndësishëm tek ata që po përballen me sfida të ndryshme në jetën e tyre.”

Ne në SOS Fshatrat e Fëmijëve punojmë së bashku me partnerë, donatorë, komunitete, bashki lokale t’u mundësojmë fëmijëve të rriten me ato mardhwnie që u nevojiten për t’u zhvilluar dhe për t’u bërë vetja e tyre më e fortë. Ne u mundësojmë familjeve të gjejnë mënyra më të mira për të qenë pranë njëri-tjetrit.

*Keni parasysh se për arsye të privatësisë dhe mbrojtjes së fëmijëve, ne kemi ndryshuar emrat origjinalë të fëmijëve.”

Bëhu partneri ynë në mbështetjen e më shumë fëmijëve; që të qëndrojnë dhe të rriten me familjet e tyre