Një histori ndryshe për disa, por e njohur për shumë të tjerë.
Jam rritur në SOS Fshati i Fëmijëve Tiranë, mes shumë fëmijëve të tjerë që, ashtu si unë, kishin përjetuar ndarje, humbje dhe pasiguri. Në fillim, mendova se e vetmja gjë që kishim të përbashkët ishin historitë tona të trishta. Por shpejt kuptova se kishim shumë më tepër se kaq. Ne ishim një familje. Ata u bënë vëllezërit dhe motrat e mia, secili unik në mënyrën e vet, por të gjithë të lidhur me një fije të padukshme dashurie dhe shprese.
Për ta kuptuar këtë më mirë, duhet të kthehemi në fillim.
Ishte viti 1999 kur, pas ndarjes së familjes sime, u vendosa në SOS Fshatin e Fëmijëve në Tiranë. Ishte një botë e panjohur për mua, e frikshme, e çuditshme, por edhe paksa intriguese. “Çfarë është ky vend?”, mendoja me vete. E menjëhershme ishte përshëndetja që do të më mbetej gjatë në zemër: “Mirë se erdhe në familje.”
Ishte nëna SOS ajo që më priti. Mësova se quhej “nënë”, sepse dashuria, përkushtimi dhe mbrojtja që ajo na jepte ishte më shumë se fjalë. Ishim fëmijë që nuk ndanim të njëjtin gjak, por ndanim diçka më të thellë, përkatësinë dhe ngrohtësinë që vjen vetëm nga një familje e vërtetë.
Në atë kohë isha vetëm 10 vjeç. Por në atë vend, filloi jeta ime e re. Mësova të jetoj me zemër të hapur, të pranoj të tjerët dhe të jem pranuar ashtu siç isha, pa gjykim, pa kushte.
Gjatë viteve që pasuan, kuptova se lumturia mund të gjendet edhe mes historive më të dhimbshme. Ishin Sara* dhe Ani* që u bënë motrat e mia të zemrës. Bashkë ndamë çdo gjë, ëndrrat, frikërat, lodrat, dhimbjet dhe buzëqeshjet. Qeshëm derisa na dhimbte barku dhe qamë në heshtje në krahët e njëra-tjetrës. U rritëm dorë për dore dhe krijuam kujtime që i mbaj ende në zemër. E në fund, a nuk është kjo thelbi i fjalës “motër”? Dashuri, mbështetje dhe kujtime që të ngrohin shpirtin.
Në fshat zbulova pasionin për sportin. Ëndërroja të bëhesha versioni më i mirë i vetes, jo për të harruar të shkuarën, por për ta nderuar atë. Me punë të palodhur dhe mbështetjen e atyre që besuan tek unë, ia dola. Sot, jam e diplomuar në Universitetin e Sporteve dhe krenare për gjithçka që kam arritur, jo vetëm për arritjet, por për faktin që u bëra frymëzim për të tjerë si unë.
Jeta ime nuk ka qenë si e të gjithëve. Por ka qenë e jashtëzakonshme në mënyrën e vet të bukur.
Sot, si nënë e dy fëmijëve, e kuptoj më shumë se kurrë rëndësinë e dashurisë, përkujdesjes dhe ndjesisë së të pasurit një “shtëpi”. E shoh me mirënjohje vendin ku jam rritur dhe gjithë njerëzit që më dhanë mundësinë të lulëzoj.
Ndonjëherë më duket sikur jeta ime është shkruar në një libër që vetëm unë mund t’i jap jetë me imagjinatë. Sara* më thotë se jam shumë poetike, ndoshta është e vërtetë. Por unë dua ta shoh jetën në këtë mënyrë: si një udhëtim plot ngjyra, i mbushur me surpriza, dashuri dhe mundësi për të rritur shpresën.