Të mbajmë familjet të bashkuara, kjo është superfuqia jonë!
“I dashur ditar, po të shkruaj ty, sepse nuk dua që prindërit e mi të shohin dëshirat e mia. E di që nuk mund t’i realizojnë, dhe kjo vetëm sa do t’u shtonte dhe më shumë trishtimin në sytë e tyre…” Kështu kishte shkruar Ada në fletoren e saj të dashur, të cilën e quan “Ditari i Adës”.
Jeta e Adës nuk është si ajo e shumicës së bashkëmoshatarëve të saj. Nëna e saj përballet me vështirësi të mëdha të shëndetit mendor dhe shpesh nuk arrin të kujdeset për Adën dhe motrën e saj. Gjyshja, megjithëse gjithmonë pranë tyre me dashuri, është e moshuar dhe e sëmurë. Ndërsa babai, Fredi*, është i vetmi që punon për të siguruar jetesën, por mungesa e një profesioni e bën të vështirë të gjejë punë të qëndrueshme.
Për një kohë të gjatë, Ada dhe motra e saj nuk shkonin rregullisht në shkollë. Vështirësitë në familje ndikonin thellë në jetën e tyre të përditshme – në të nxënit, në marrëdhëniet me të tjerët dhe në ndjenjat e tyre. Motra e madhe ishte e vetmja mike e ngushtë që e kuptonte. Dhe natyrisht, ditari – dëshmitari i heshtur i shpirtit të saj të brishtë.
Rrugëtimi i shpresës filloi tre vite më parë, kur SOS Fshatrat e Fëmijëve në Shqipëri erdhi në jetën e Adës dhe familjes së saj. Në një moment ku gjithçka dukej e paqëndrueshme, ekipi ynë ishte aty, për të ndihmuar jo vetëm një fëmijë, por një familje të tërë të rilindë.
Me mbështetjen tonë:
-Nëna e Adës nisi të marrë trajtim mjekësor dhe psikologjik, duke pasur akses në shërbimet që i nevojiteshin.
-Babai, Fredi, mori pjesë në seminare dhe trajnime që e ndihmuan të bëhej një prind më i sigurt dhe më i përkushtuar.
-Ada dhe motra e saj morën mbështetje psikologjike, materiale shkollore, ndihmë në mësime dhe më e rëndësishmja, dikë që i dëgjonte e i kuptonte.
Një vit më vonë, Fredi tha me krenari:
“Nuk pi, nuk pi duhan, punoj fort dhe dua familjen time më shumë se çdo gjë tjetër. Kjo situatë më mësoi se të gjithë mund të kalojmë sfida në jetë – disa më të lehta, disa më të rënda. Por ajo që bën ndryshimin është mbështetja. Edhe një akt i thjeshtë dashamirësie mund të sjellë dritë në jetën e dikujt që ndodhet në errësirë.”
Në SOS Fshatrat e Fëmijëve, ne besojmë se çdo fëmijë meriton të rritet me dashuri, kujdes dhe mundësi për të ndërtuar një të ardhme të ndritur. Bashkë me partnerët tanë, donatorët, komunitetin dhe institucionet lokale, ne punojmë çdo ditë për t’u dhënë familjeve fuqinë të qëndrojnë së bashku, të jenë të forta dhe mbështetëse për njëri-tjetrin.
Sepse çdo fëmijë meriton një shtëpi. Një përqafim. Një shpresë.
Na ndihmo që më shumë fëmijë si Ada të mos shkruajnë dëshirat e tyre në heshtje, por t’i jetojnë ato në realitet.