Në lidhje me përmëndjen e Organizatës SOS Fshatrat e Fëmijëve Shqipëri në emisionin investigativ Fiks Fare më datë 20.05.2025
Organizata SOS Fshatrat e Fëmijëve u njoh me përmbajtjen e transmetuar në emisionin Fiks Fare, Top Channel më datë 20.05.2025.
Ne falenderojmë median për sjelljen në vëmendje të çështjeve të ndjeshme sociale që kërkojnë bashkëpunimin e të gjitha institucioneve përkatëse si dhe për thirrjen ndërgjegjësuese për të mbështetur dhe adresuar çështje të ndjeshme.
Në vijim, ndjejmë nevojën për të dhënë informacionin si më poshtë vijon:
E reja është vendosur nën kujdesin e SOS Fshatrave të Fëmijëve së bashku me motrat e vëllain biologjik para 9 vitesh. Gjatë këtyre viteve kemi siguruar që ata të jetojnë dhe zhvillohen në një ambient të përbashkët familjar. Që prej asaj kohe, janë pjesë e programeve të kujdesit alternativ dhe trajtohen të gjithë me shërbime të dedikuara dhe në përputhje me nevojat e tyre.
Aktualisht, e reja mbështetet nga SOS Fshatrat e Fëmijeve me një paketë shërbimesh; mbështetje financiare mujore, mbështetje për punësueshmërinë e saj në ndjekjen e nje kursi profesional kuzhine, mbështetje për edukim, mbështetje për shëndetin emocional.
Përsa i takon kërkesës dhe shqetësimit që e reja ngre për tërheqjen e fondeve të sponsorshipit, sic kemi cituar edhe në dokumentin tonë dorëzuar emisionit Fiks Fare; të ardhurat e përfituara nga programi i sponsorshipit janë një dhuratë për organizatën, në emër të fëmijëve dhe vendosen në dispozicion të drejtpërdrejtë të tyre, me qëllim mbështetjen në rrugëtimin drejt një jete të pavarur. Për menaxhimin dhe disbursimin e fondeve zbatohet një proçedurë e qartë, e strukturuar dhe transparente.
Zbatimi i politikës dhe procedurës është zotimi ynë ndaj mbështetësve të cilët dhurojnë financiarisht për organizatën dhe është detyrim i standarteve tona ndërkombëtare dhe ligjore për të mos ndryshuar as qëllimin dhe as destinacionin e këtyre fondeve. Këto fonde janë në dizpozicion të të resë të gatshme për tu disbursuar tek ajo në bazë të një plani të dakortësuar në përputhje me procedurën.
Së fundmi do të donim të siguronim që:
– E reja do të vazhdojë të marrë mbështetje financiare mujore, edukative dhe psikologjike sipas nevojave të saj dhe planit përkatës.
– Do të merren të gjitha masat e nevojshme për adresimin e qëndrimit të punonjësve tanë të shfaqur në video. Paraprakisht, theksojmë se qëndrimi i shfaqur nga punonjësit tanë nuk përfaqëson qasjen tonë të punës me të rinjtë.
– Ne do të vazhdojmë të informojmë me transparencë të plotë.
Theksojmë që Organizata SOS Fshatrat e Fëmijëve në Shqipëri, prej 30 vitesh është e përkushtuar në përmbushjen e misionit të saj për të ofruar shtëpi-familje për fëmijët pa kujdes prindëror. Gjithashtu prej po kaq vitesh është angazhuar në promovimin e transparencës, të drejtave të fëmijëve dhe njeriut duke ndjekur me përpikmëri parimet etike dhe ligjore në cdo aspekt të punës sonë.
Ju falenderojmë,
SOS Fshatrat e Fëmijëve, Shqipëri