Në shtëpinë tonë! - SOS Fshtrat e Fëmijëve
dhuro online per femijet

Emi* së bashku me vëllezërit e saj ju bashkuan fshatit kur ajo ishte vetëm tre vjeç. Të gjitha kujtimet e saj lidhen me jetën dhe familjen në fshatin SOS. “Tezja ime është e vetmja nënë që njoh,” thotë ajo duke ju referuar kujdesdhënëses. Në familjen e saj të re Emi* përveç personit të kujdesit dhe vëllezërve të saj biologjik njohu dhe shumë fëmijë të tjerë. Gjatë kohës që rriten së bashku edhe ata zënë vënd si motra dhe vëllëzer në jetën e njëri tjetrit.

Familja e saj është e përbërë nga 7 anëtarë. “Mëngjeset janë gjithmonë të zhurmshëm sidomos në kohën e shkollës. Ne vrapojmë për tu bërë gati për shkollë, tezja na përgatit mëngjesin dhe ndihmon më të vegjëlit, e pasi ushqehemi dalim pastaj me nxitim drejt shkollës,” tregon Emi*. Pasditet janë për argëtim dhe studim. Emi* dhe fëmijët e tjerë të familjes marrin mbështetje edukative sipas vështirësive që ndeshin. Për argëtimin ata janë të përfshirë në klube të ndryshme të organizuara brenda dhe jashtë fshatit. Këto klube dhe klasa përpos argëtimit të fëmijëve, kanë për qëllim të krijojnë një mjedis të përshtatshëm dhe mbështetës për zhvillimin e talenteve dhe pasioneve të femijëve, duke i përgatitur ata për një të ardhme të suksesshme dhe të lumtur. E ndërsa mbrëmjet janë momentet për t’i kaluar me lojra familjare, duke biseduar me njëri tjetrin, apo duke parë në television emisionet e preferuara të gjithë sëbashku në ambjentin e ndenjes së shtëpisë.

Në fundjavë, ashtu si familjet e tjera të fshatit, familja e Emit* organizon aktivitete të ndryshme në natyrë dhe jo vetëm. Koha e shpenzuar në familje është shumë e rëndësishme për fëmijët për të ndërtuar ndjesinë e përkatësise dhe lidhjes me anëtarët e tjerë të familjes. “Më pëlqejnë vizitat në teatër apo kinema. Gjithashtu kënaqëm kur ne bëjmë piknik tek kodrat e liqenit,” thotë Emi*.

Edhe pse Emi, si shumë fëmijë të tjerë kanë gjetur një shtëpi dhe familje në fshatin SOS. Punonjësit sociale punojnë shumë me fëmijët dhe familjarët e tyre biologjik për të mbajtur lidhjet duke vlerësuar gjithmonë interesin më të lartë të fëmijës, lidhjet e gjakut dhe atë cka e bën të lumtur fëmijën.

Një familje e fortë dhe e përkrahur është thelbësore për zhvillimin dhe mirëqenien e fëmijëve. Një familje ku ofrohet dashuri, mbështetje dhe udhëheqje e mjaftueshme për të rritur fëmijë të sigurt dhe të lumtur. Vizioni ynë është që asnjë fëmijë mos të rritet vetëm!

Eli*, sot nuk është më fëmijë

Një histori ndryshe për disa, por e njëjta për disa të tjerë.
Jam rritur në SOS Fshati i Fëmijëve Tiranë së bashku me shumë fëmijë të tjerë. Tani që më kujtohet, në ditët e para mendova se e vetmja gjë e përbashkët që unë dhe ata kishim ishin historitë tona të trishta. Ata ishin vëllezërit dhe motrat e mia dhe ne të gjithë ishim aq të ngjashëm sa dhe unikë në mënyrat tona.

Për ta kuptuar më mirë, le të fillojmë nga fillimi i historisë sonë.

Në vitin 1999 u vendosa në SOS Fshati i Fëmijëve Tiranë pasi familja ime u nda. Isha e frikësuar, e hutuar, por edhe pak kurioze. “Cfarë është ky vend?” mendova. “Mirë se erdhe në familje”, ishte fraza e parë që më tha nëna SOS. Mësova shpejt se quhet familje për një arsye. Personi më i rëndësishëm për ne në të ishte nëna. Përpjekjet e saj për t’u kujdesur për ne e bënin atë më të rëndësishmen në sytë tanë. Edhe pse nuk ishim vëllezër e motra nga gjaku, u bëmë më shumë se kaq. Ndonëse isha vetëm 10 vjeç, jeta ime në SOS Fshatin e Fëmijëve Tiranë u ndje si një fillim i ri. Mësova të jetoj ngrohtësisht me njerëz që nuk i njihja apo prisja t’i takoja gjatë jetës sime.

Ndërsa maturohemi, kuptojmë se lumturia mund të gjendet edhe në mes të historive të trishta. Gjatë kohës sime në fshat, kam krijuar një vlerësim të ri për dashurinë që vjen nga të pasurit vëllezër e motra. Sara* dhe Ani* u bënë motrat e mia të familjes dhe së bashku ne ndamë të gjitha problemet dhe aspiratat tona. Luajtëm, qeshëm, madje derdhëm edhe lot bashkë. Dorë për dore, ne u rritëm përkrah njëri-tjetrës dhe krijuam kujtime të panumërta. E në fund të fundit a nuk është kjo cka përfaqëson një moter, dashuri dhe të plot kujtime fëmijërie sëbashku.

Në fshat zbulova dashurinë për sportin dhe aspirova të bëhesha versioni më i mirë i vetes. Me punë te palodhur dhe mbështetjen e atyre që besuan tek unë, ia dola. Unë arrita të diplomohem në Universitetin e Sporteve. Sot, jam krenare jo vetëm për arritjet e mia, por edhe për lumturinë që i solla familjes dhe mbështetësve të mi.

Jeta ime ka qenë një udhëtim i veçantë. Unë kam pasur rastin të rritem në një mjedis të ndryshëm nga shumica e moshatarëve të mi, por në një mënyrë shumë të bukur.

Si nënë e dy fëmijëve, tani e kuptoj rëndësinë e dashurisë, strehimit dhe familjes. Sot, mund ta kuptoj se sa shumë përmbushje shpirtërore kam marrë aty ku jam rritur.

Ndonjëherë më duket sikur jam pjesë e një historie të shkruar në një libër ku vetëm imagjinata ime mund t’i japë jetë fjalëve. Motra ime Sara* më thotë se jam shumë poetike, por mua më pëlqen. Unë dua ta shoh jetën në këtë mënyrë, të hapur për të pranuar surprizat e ardhshme që mund të më sjellë jeta.

*Keni parasysh se për arsye të privatësisë dhe mbrojtjes së fëmijëve, ne kemi ndryshuar emrat origjinalë të fëmijëve.”

Jepu fëmijëve mundësinë e një të ardhme më të mirë!

Ada*, 11 vjeç

Puna për të mbajtur familjet të bashkuara është superfuqia jonë!
“I dashur ditar, po të shkruaj sepse nuk dua t’i ndaj dëshirat e mia me prindërit e mi. E di që nuk do të mund bëjnë ato realitet dhe kjo do shkaktojë trishtim në sytë e tyre…”
Ada kishte shkruar Ada në fletoren e saj, të cilën e quan “Ditari i Adës”.
Nëna e Adës nuk është në gjendje të punojë për shkak të shëndetit mendor dhe herë pas here ajo nuk është në gjendje të kujdeset për vajzat. Gjyshja e Adës është në dispozicion për të ndihmuar, por ajo është e moshuar dhe me shëndet të dobët. Babai i Adës është i vetmi që punon dhe siguron ushqim për familjen, por mungesa e një profesioni ja bën më të vështirë gjetjen e një pune. Ada dhe motra e saj nuk shkonin rregullisht në shkollë. Situata e tyre familjare ndikon në performancën e tyre në shkollë dhe në marrëdhëniet e tyre me bashkëmoshatarët. Për Adën shoqja e saj më e mirë ishte vetëm motra e madhe, që e kuptonte dhe fletorja e saj.
Rrugëtimi i Adës me SOS Fshatrat e Fëmijëve në Shqipëri filloi tre vjet më parë. Në një kohë kur prindërit e saj po luftonin për të mbajtur familjen të bashkuar dhe kishin vështirësi në sigurimin e kujdesit dhe stabilitetit që u nevojitet fëmijëve.
Nëpërmjet projekteve të SOS Fshatrat e Fëmijëve në parandalim dhe mbrojtje, çdo anëtar i familjes mori mbështetjen e nevojshme për t’i ndihmuar ata të ecin përpara dhe ta bëjnë familjen e tyre të ketë sukses. Kolegët tanë u siguruan që nëna e Adës të merrte të gjitha medikamentet e nevojshme dhe e mbështetën në aksesin e shërbimeve sociale dhe shëndetësore.
Fredi*, babai i saj, mori pjesë në seminare të ndryshme prindërore për të përmirësuar aftësitë e tij prindërore. Ada dhe motra e saj u mbështetën me këshillim psikologjik dhe edukim, duke përfshirë pajisje shkollore, materiale mësimore dhe ndihmë me lesksione pas shkollës. Ada dhe anëtarët e familjes së saj punuan së bashku me punonjës socialë dhe ekspertë për të forcuar familjen.

Gjatë një seance trajnimi pas një viti mbështetjeje, Fredi tha:

“Unë nuk pi alkool, nuk pi duhan, punoj shumë, e dua familjen time dhe kujdesem për fëmijët, gruan dhe nënën time. Të gjithë përballemi me sfida në periudha të ndryshme të jetës, por disa sfida qëllojnë të jenë më të vështira se ca të tjera. Situata ime më ka mësuar se duhet të jemi më pak gjykues dhe më shumë mbështetës ndaj atyre që po kalojnë periudha të vështira. Përmes përvojave të mia, kam kuptuar se edhe veprimet e thjeshta të mirësisë mund të kenë një ndikim të rëndësishëm tek ata që po përballen me sfida të ndryshme në jetën e tyre.”

Ne në SOS Fshatrat e Fëmijëve punojmë së bashku me partnerë, donatorë, komunitete, bashki lokale t’u mundësojmë fëmijëve të rriten me ato mardhwnie që u nevojiten për t’u zhvilluar dhe për t’u bërë vetja e tyre më e fortë. Ne u mundësojmë familjeve të gjejnë mënyra më të mira për të qenë pranë njëri-tjetrit.

*Keni parasysh se për arsye të privatësisë dhe mbrojtjes së fëmijëve, ne kemi ndryshuar emrat origjinalë të fëmijëve.”

Bëhu partneri ynë në mbështetjen e më shumë fëmijëve; që të qëndrojnë dhe të rriten me familjet e tyre

where is albania located